OTKT merr pjesë në Forumin e Biznesit Turqi Kosovë në Ankara

27 tetor 2017, Ankara – Nën patronatin e Unionit të Odave Tregtare dhe Bursave të Turqisë (TOBB), në Ankara të premten u mbajt Forumi i Biznesit Turqi – Kosovë, në të cilin morën pjesë një numër i madh i bizneseve nga të dyja vendet dhe përfaqësues të lartë institucionalë të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, përfshirë edhe përfaqësuesit e Odës Tregtare Kosovaro Turke.

Pas seancës së paraparë për kontakte të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të bizneseve të dyja vendeve, të pranishmëve iu drejtuan me fjalime rasti Zëvendëskryetari i TOBB, z. Ender Yorgancılar, Ministri i Zhvillimit i Republikës së Turqisë, z. Lütfi Elvan, dhe Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli.

Zëvendëskryetari i TOBB-it vuri në pak sukseset që bizneset dhe investitorët nga Turqia i kanë pasur në Kosovë, si dhe zhvillimin ekonomik që ato ia kanë sjellë vendit, përfshirë këtu qindra milionë investime të huaja të drejtpërdrejta dhe mbi dhjetë mijë të punësuar në vend gjatë viteve të fundit, përkundër faktit që Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë. Ai përmendi edhe lidhjet e ngushta dhe përkrahjen institucionale të cilën TOBB ia ka dhënë Odës Ekonomike të Kosovës në procesin e anëtarësimit të saj në Eurochambers, si dhe vullnetin për të ofruar më shumë përkrahje në zhvillimin në Kosovë të Zonave Doganore dhe Zonave të Lira Ekonomike, në bazë të përvojës së suksesshme të fituar në Turqi.

Ministri i Zhvillimit i Republikës së Turqisë, z. Lütfi Elvan pasi që e cilësoi Kosovën si vend vëllazëror dhe mik të Turqisë, shprehu kënaqësinë e tij për zhvillimin që Kosova ka shënuar si vend kyç për stabilitetin e tërë rajonit. Më tej, ai theksoi se marrëdhëniet e ngushta shoqërore të cilat ekzistojnë mes dy vendeve duhet të pasqyrohen edhe më shumë në marrëdhëniet ekonomike mes tyre, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e palës turke për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe institucional në të gjitha nivelet. Ministri Elvan theksoi rëndësinë e ratifikimit sa më të shpejtë nga pala kosovare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes Kosovës dhe Turqisë, për të larguar barrierat e mundshme për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe shtimin e vëllimit tregtar mes dy vendeve.

Në ekspozenë e tij para të pranishmëve në këtë Forum Biznesi, Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, iu tha bizneseve nga të dyja vendet se ai vet është njeri që vjen nga biznesi, prandaj bizneset private tek ai dhe Qeveria e Kosovës do të gjejnë gjithmonë mirëkuptim dhe përkrahje.  Z. Pacolli më tej shprehu konsideratën e tij për të gjitha investimet e bëra nga bizneset turke në Kosovë, por theksoi se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë për to dhe se Kosova ende nuk ka arritur të shfrytëzojë në mënyrë të efektshme tërë potencialin e Turqisë, duke vënë në pah përparësitë që Kosova i ofron për të gjithë investitorët e jashtëm. Në lidhje me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të nënshkruar shumë vite më parë nga përfaqësuesit e dy shteteve, por ende të paratifikuar nga pala kosovare, z. Pacolli tha se ai përkrah pa rezervë ratifikimin sa më shpejtë të saj, për t’i hapur rrugë shtimit të vëllimit tregtar mes dy vendeve mike dhe zëvendësimit të artikujve të importuar në Kosovë nga vende tjera me mallra më cilësore dhe më të pranueshme nga Turqia.

Të gjithë folësit e theksuan rëndësinë e organizimit të forumeve të tilla edhe në të ardhmen dhe vazhdimit të kontakteve më të ngushta mes akterëve kyçë të të gjitha niveleve, përfshirë këtu përfaqësuesit institucionalë dhe asociacionet e bizneseve të të dyja vendeve.

Leave a Reply

XHTML: You can use these tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>