Si Odë Tregtare Kosovaro Turke dëshirojmë të theksojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve themelore të ekonomisë së tregut të lirë dhe shprehim mbështetjen parimore për vendimin e qeverisë në drejtim të liberalizimit të tregut të energjisë. Ne besojmë se ky hap do të sjellë përfitime afatgjata për ekonominë e vendit, si në procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian, ashtu edhe në drejtim të integrimit në tregun global konkurrues.
Megjithatë, vërehet se në lidhje me kohëzgjatjen dhe fazën kalimtare të zbatimit po hasen vështirësi të mëdha. Veçanërisht, çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun e lirë po e rëndojnë në masë të konsiderueshme mbulimin e kostove të bizneseve tona, duke bërë që disa prej anëtarëve tanë të detyrohen edhe në ndalimin e aktivitetit prodhues.
Në këtë kontekst, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e opinionit publik dhe të qeverisë këto çështje themelore:
Periudha kalimtare prej tre muajsh është e pamjaftueshme për një transformim kaq të rëndësishëm. Shumica e bizneseve planifikojnë prodhimet e tyre mbi kontrata vjetore ose afatgjata, prandaj një periudhë kaq e shkurtër nuk siguron kushtet e nevojshme për përshtatje.
Është e domosdoshme parashikimi i një periudhe kalimtare prej së paku një viti. Kalimi në tregun e lirë duhet të jetë gradual dhe i shoqëruar me mekanizma të ndryshëm mbështetës për të ruajtur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve.
Për mbijetesën e bizneseve gjatë kësaj faze kalimtare, qeveria duhet të shfrytëzojë fondet e Bashkimit Evropian, si dhe të aktivizojë programe të granteve dhe mbështetjes financiare. Këto masa do të mundësojnë zhvillimin e procesit të liberalizimit në mënyrë më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
Si Odë Tregtare Kosovaro Turke e vlerësojmë vullnetin e qeverisë për hapjen e tregut të energjisë në përputhje me rendin ekonomik liberal, por njëkohësisht theksojmë se zhvillimi i shëndoshë i këtij procesi kërkon përcaktimin e një periudhe kalimtare të arsyeshme dhe implementimin e mekanizmave mbështetës në kohë sa më të shkurtër.
Duke besuar se këto kërkesa të drejta do të merren në konsideratë në funksion të interesit të përbashkët të anëtarëve tanë dhe të ekonomisë së vendit, njoftojmë opinionin publik se Oda Tregtare Kosovaro Turke mbetet e gatshme të kontribuojë me zgjidhje konkrete në frymën e dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit.
Oda Tregtare Kosovaro Turke