Sot, më 2 korrik 2026, Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) organizoi një takim konsultativ me Doganën e Kosovës, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm, Agron Llugaliu.
Takimi u hap nga Kryetari i OTKT-së Orçun Özdemir, i cili theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat për përmirësimin e klimës së investimeve dhe lehtësimin e tregtisë. Ai vlerësoi progresin e Doganës së Kosovës në digjitalizim, menaxhimin e riskut dhe përshpejtimin e procedurave kufitare, duke e konsideruar atë një partner kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fjalën e tij Özdemir nënvizoi rolin e investimeve turke në Kosovë dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–Türkiye, në fuqi që nga viti 2019, duke theksuar nevojën për përditësimin e saj në përputhje me zhvillimet aktuale ekonomike. Ai theksoi se për komunitetin e biznesit, parashikueshmëria e procedurave doganore është po aq e rëndësishme sa edhe kostoja e tregtisë.
Gjatë takimit u trajtuan një sërë çështjesh të ngritura nga bizneset, përfshirë sqarimin paraprak të kodeve doganore, zgjerimin e praktikave të “Green Lane” për kompanitë me histori të rregullt, përshpejtimin e importit të lëndës së parë për prodhim, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave statistikore, shmangien e vonesave nga rivlerësimet e faturave, si dhe rritjen e fleksibilitetit në sistemin e para-deklarimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, vlerësoi këto takime si thelbësore për forcimin e bashkëpunimit me komunitetin e biznesit dhe për përmirësimin e zinxhirit tregtar, në kushtet e rritjes së vazhdueshme të tregtisë së jashtme.
Ai theksoi se tregtia e jashtme e Kosovës është rritur mesatarisht rreth 10% në vit, duke krijuar sfida të rëndësishme operacionale për administratën doganore. Megjithatë, sipas tij, Dogana e Kosovës ka vijuar të modernizohet dhe të përshtatet vazhdimisht, duke mbetur një partner i besueshëm i biznesit, krahas rolit të saj në mbledhjen e të hyrave, mbrojtjen e shoqërisë dhe zhvillimin institucional. Llugaliu veçoi progresin e arritur që nga themelimi i institucionit në vitin 1999, si dhe reformat e fundit, përfshirë funksionalizimin e plotë të operacioneve doganore në Portin e Durrësit dhe transformimin e terminalit privat në terminal shtetëror, duke lehtësuar kostot për tregtarët.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të agjendës digjitale dhe menaxhimit të sfidave globale, përfshirë ndikimet e krizave ndërkombëtare në zinxhirët tregtarë. Në këtë kontekst, ai vlerësoi sistemin e ri të para-deklarimit si një nga reformat më të rëndësishme të viteve të fundit, duke theksuar se ai ka sjellë përshpejtim të procedurave dhe transparencë më të madhe në procesin doganor.
Sipas tij, sistemi i ri eliminon vonesat dhe praktikat selektive në trajtimin e deklarimeve, duke garantuar një proces më të drejtë si për administratën doganore ashtu edhe për operatorët ekonomikë. Në lidhje me të hyrat doganore, ai sqaroi se rreth 97.4% e të ardhurave vjetore vijnë nga deklarimet e rregullta të komunitetit tregtar, ndërsa rivlerësimet përbëjnë një pjesë minimale. Ai theksoi se qëllimi i Doganës nuk është rritja e të hyrave përmes kontrolleve shtesë, por garantimi i konkurrencës së ndershme dhe respektimit të rregullave në treg.
Në këtë takim foli edhe Këshilltarja e Tregtisë në Ambasada e Türkiyes në Prishtinë, znj. Seda Ulukaya, e cila theksoi marrëdhëniet e ngushta historike, kulturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes. Ajo vuri në pah rëndësinë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–Türkiye si një instrument kyç për rritjen e shkëmbimeve tregtare, duke theksuar se Türkiye mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Kosovës. Ulukaya theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e kapaciteteve eksportuese të Kosovës dhe zhvillimin më të balancuar të tregtisë ndërmjet dy vendeve.
Ajo njoftoi se brenda vitit pritet të mbahet takimi i parë i Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Kosovë–Türkiye (JETCO), duke riafirmuar angazhimin e Ambasadës për mbështetjen e bizneseve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Takimi vazhdoi me pyetje nga anëtarët e Odës Tregtare Kosovaro Turke dhe diskutime konsultative, ku u dhanë përgjigje dhe sqarime për çështjet e ngritura nga drejtori Llugaliu.
Në përmbyllje, Kryetari i OTKT-së Orçun riafirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës dhe falënderoi Drejtorin Llugaliu dhe ekipin e tij për pjesëmarrjen. Po ashtu, u shpreh mirënjohje ndaj anëtarit Simtex, për sponsorizonim e këtij takimi dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve të Odës.