Delegacioni i Ambasadës së Bangladeshit zhvillon vizitë zyrtare në Odën Tregtare Kosovaro Turke
17.11.2025
Kryetari i Odës Tregtare KosovaroTurke (OTKT), z. Abdurrahman Balkız, i shoqëruar nga Nënkryetari z. Ayhan Demirkıran dhe Drejtori Ekzekutiv z. Meriton Sunduri, priti në një takim zyrtar një delegacion nga Ambasada e Bangladeshit në Gjermani, i kryesuar nga ambasadori jorezident i Republikës Popullore të Bangladeshit në Republikën e Kosovës, z. Muhammad Zulqar Nain.
Në takim morën pjesë gjithashtu z. Tanvir Kabir, Këshilltar për Çështje Politike dhe Projekte në Ambasadën e Bangladeshit në Berlin, si dhe z. Md. Abul Kalam, ish-konsulent i projektit të mikrofinancës për UNDP/UNOPS në Myanmar.
Gjatë takimit, kryetari i OTKT-së, z. Balkız, prezantoi aktivitetet e Odës Tregtare KosovaroTurke, panoramën e investimeve turke në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Bangladeshin.
Ambasadori jo rezident i Republikës së Bangladeshit pranë Republikës së Kosovës, z. Muhammad Zulqar Nain, theksoi se ndërmjet Bangladeshit dhe Kosovës ekzistojnë lidhje ekonomike dhe tregtare, si dhe se këto marrëdhënie mund të thellohen edhe më tej.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për avancimin e bashkëpunimit tregtar në sektorin e tekstilit, mikrofinancës, infrastrukturës dhe energjisë së ripërtëritshme. Po ashtu, u trajtuan sfidat lidhur me sigurimin e fuqisë punëtore, ku u propozua vendosja e kontakteve me agjenci të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me qeverinë e Bangladeshit.