03.02.2021 - MZHR dhe Oda Tregtare Kosovaro Turke, realizuan një takim sot me datë 03.02.2021 për përgatitjen e Planit të veprimit lidhur me implementimin e Memorandum të Bashkëpunimit, të nënshkruar ndërmjet palëve me datë 27.01.2021.
Në takim morën pjesë: Blerim Hasani, Drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Analiza Socio – Ekonomike Rajonale (MZHR); Esin Muzbeg, Sekretari i përgjithshëm i Odës Tregtare Kosovaro Turke; Bynjamin Karabeg – Praktikant në MZHR si dhe Berna Safçi ekonomistja nga OTKT.
Në takim, palët diskutuan aktivitetet e përbashkëta të cilat do ti realizojnë në të ardhmen, afatet kohore për realizimin e tyre, caktimin e zyrtarëve përgjegjës, etj. Të gjitha këto detyra dhe përgjegjësi, palët u pajtuan ti përfshijnë në Planin e përbashkët të veprimit për periudhën në vijim. Disa nga aktivitetet që do të realizohen nga palët në të ardhmen, janë: organizimi dhe përkrahja e pjesëmarrjes së bizneseve kosovare në panairet që do të realizohen në Turki, organizimi dhe përkrahja e punës praktike të praktikantëve/të rinjve ne bizneset anëtare të Odës dhe bizneseve përfituese nga MZHR, organizimi i tryezave dhe konferencave me biznese kosovare në Kosovë, si dhe organizimi i vizitave të bizneseve turke në Kosovë dhe bizneseve kosovare në Turki.
Palët u dakorduan që brenda muajit shkurt 2021, të takohen përsëri dhe të finalizojnë Planin e veprimit, si dhe të fillojnë menjëherë me realizimin e aktiviteteve për të cilat janë dakorduar.