KTTO

Lajme

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani priti në takim Kryetarin e OTKT-së Orçun Özdemir

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani priti në takim Kryetarin e OTKT-së Orçun Özdemir


Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti në zyrën e tij Kryetarin e Odës Tregtare Kosovaro Turke, Orçun Özdemir, së bashku me Këshilltaren Tregtare të Ambasadës së Republikës së Türkiyes në Prishtinë, Seda Ulukaya, Zëvendëskryetarët e Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Xhevdet Kabashi dhe Gökhan İşevcan, si dhe Eksperten e Ekonomisë në Odën Tregtare Kosovaro Turke, Oaza Binçe. Në takim morën pjesë gjithashtu këshilltari i lartë Drilon Brahimi dhe këshilltarja e ministrit Donika Zogu.

Nga ana e Odës Tregtare Kosovaro Turke dhe partnerëve institucionalë, në takim morën pjesë Orçun Özdemir, Kryetar i Odës Tregtare Kosovaro Turke, Seda Ulukaya, Këshilltare Tregtare e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Xhevdet Kabashi, Zëvendëskryetar i Odës Tregtare Kosovaro Turke, si dhe Oaza Binçe, Eksperte e Ekonomisë në Odën Tregtare Kosovaro Turke.

Fokusi kryesor i takimit ishte diskutimi mbi Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Kosovë në vitin 2030 dhe rëndësia e tyre për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit. Kryetari i Odës, Orçun Özdemir, theksoi se këto lojëra përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimin e stadiumeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ai nënvizoi se investimet e realizuara për këto lojëra do të kenë ndikim afatgjatë, pasi infrastruktura do të vazhdojë të shfrytëzohet edhe pas përfundimit të tyre, duke sjellë përfitime të vazhdueshme për qytetarët.

Nga ana tjetër, ministri Blerim Gashani vlerësoi rëndësinë e Lojërave Mesdhetare jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe si një ngjarje me dimension kulturor dhe diplomatik. Ai theksoi se organizimi i suksesshëm kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe kompanive të mëdha, si dhe shkëmbim të ekspertizës për të siguruar rezultate sa më të mira.

Gjatë takimit, Kryetari Özdemir shtoi se anëtarët e Odës, si dhe investitorë të tjerë nga Turqia, janë të interesuar të informohen më shumë rreth master planit të Lojërave Mesdhetare dhe janë të gatshëm të kontribuojnë përmes investimeve dhe ekspertizës së tyre. Ministri Gashani shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me kompani serioze dhe të fuqishme, të cilat mund të realizojnë projektet me efikasitet dhe standarde të larta.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Odës Tregtare Kosovaro Turke dhe Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, duke hapur rrugë për komunikim dhe bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen. Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe për të konkretizuar mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.


Lajme