27.01.2021 – ot, Ministria e Zhvillimit Rajonal në Kosovë dhe Oda Tregtare Kosovaro Turke nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi i cili ka për qëllim shkëmbimin e informacioneve si dhe bashkëpunimin e ndërsjellët.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Rajonal Enis Kervan dhe Kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkız.
Në ceremoni, u theksua rëndësia e marrëveshjes së nënshkruar ku në shenjë falënderimi kryetarit të OTKT-së Abdurrahman Balkız iu nda një mirënjohje nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkız, i cili foli para kamerave pas ceremonisë, bëri të ditur se në marrëveshjen e nënshkruar, janë përfshirë disa artikuj për të mbështetur punësimin në Kosovë. Balkız ftoi të gjithë të rinjtë e Kosovës që të përfitojnë nga këto trajnime dhe të marrin pjesë në këto praktika e veçanërisht në trajnime profesionale të cilat do të mundësohen nga kompanitë anëtare të OTKT-së.
“Kjo marrëveshje gjithashtu do të mundësojë zhvillimin e fushave të reja të bizneseve ose bashkëpunimit të investitorëve turq në Kosovë dhe investitorëve kosovarë në Turqi. Në këtë drejtim, ne do të jemi në koordinim me Ministrinë dhe përmes Odës sonë do të përpiqemi t’i ndihmojmë këto biznese” tha Balkız.
Kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkız theksoi se marrëveshje të tilla gjithmonë i mbajnë marrëdhëniet më të freskëta dhe dinamike.
Në anën tjetër Ministri i Zhvillimit Rajonal Enis Kervan deklaroi se kjo marrëveshje, përbën fillimin e bashkëpunimit midis Ministrisë dhe OTKT-së dhe njoftoi se grupet punuese do të punojnë në detajet e marrëveshjes.
Ministri Kervan tha se të rinjve do t’iu ofrohet një mundësi punësimi në fushat të cilat i ofron Marrëveshja duke i marrë parasysh edhe investitorët turq në Kosovë.
“Për herë të parë, OTKT dhe një institucion i Kosovës nënshkroi një marrëveshje të tillë. Ajo që ka rëndësi për ne është që të rinjtë të gëzojnë përfitimet e kësaj marrëveshjeje. Siç e dini, shumë investitorë dhe biznesmenë turq janë pranishëm në fusha të ndryshme në Kosovë. Nga ana tjetër, shumë nga të rinjtë tanë në Kosovë janë të diplomuar në universitete, por shëtisin nëpër rrugë. Unë mendoj se kjo praktikë do të jetë një mundësi për të krijuar punësim për ta dhe për të krijuar një të ardhme për ta. Shpresoj që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe në të ardhmen, në fusha të tjera ” tha Kervan.
Në ceremoninë e nënshkrimit të mbajtur në Prishtinë, përveç zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, morën pjesë Kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkız, Nënkryetari i OTKT-së Ayhan Demirkıran, Anëtarët e Bordit të OTKT-së Suat Balkız dhe Mesut Özbaysar si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OTKT-së Esin Muzbeg.