20.05.2025 – Rritja e çmimeve të energjisë elektrike e ndodhur së fundmi në Kosovë ka shkaktuar shqetësime tek përfaqësues të sektorit privat, e cila përbën shtyllën kryesore të ekonomisë së vendit. Si Odë Tregtare Kosovaro Turke, po i përcjellim me vëmendje zhvillimet në fjalë.
Në veçanti, ndërmarrjet që operojnë në sektorët e prodhimit, shërbimeve dhe industrisë po përballen me vështirësi serioze në aspektin e qëndrueshmërisë dhe konkurrencës si pasojë e rritjes së kostos së energjisë. Kjo situatë pritet të ndikojë negativisht edhe në potencialin tashmë të ndjeshëm të eksportuesve në vend. Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk ndikon vetëm në fitimin e bizneseve, por edhe në punësimin dhe rrjedhimisht në mirëqenien sociale.
Si Odë, e konsiderojmë tejet të rëndësishme ruajtjen e sigurisë në furnizim me energji dhe njëkohësisht mbështetjen e sektorit privat në mënyrë që të mos cenohet fuqia konkurruese. Sepse, mbi të gjitha sektori real – pra kompanitë prodhuese – do të jenë më të prekura nga pasojat negative, të cilat më pas do të reflektojnë edhe në çmimin e mallrave dhe shërbimeve. Në këtë drejtim, besojmë se është thelbësore të merren hapa të tillë si: sigurimi i parashikueshmërisë së çmimit të energjisë; përpilimi i politikave energjetike në konsultim me sektorin privat; dhe krijimi i mekanizmave mbështetëse gjatë kalimit në tregun e lirë të energjisë. Për këtë arsye, mbështesim një proces kalimi të kontrolluar dhe të ndarë në etapa.
Sektori privat luan një rol kyç në rritjen ekonomike të Kosovës dhe në ruajtjen e vendeve të punës. Prandaj, vlerësojmë se çdo vendim duhet të shqyrtohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me akterët ekonomikë si qasja më e duhur për mirëqenien përgjithshme.
Si Odë, shprehim gatishmërinë për dialog me institucionet përkatëse publike dhe deklarojmë se jemi të përkushtuar të japim çdo kontribut të nevojshëm për gjetjen e zgjidhjeve konstruktive.
Oda Tregtare Kosovaro Turke