Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me ministrin e Tregtisë së Türkiye-s, Ömer Bolat, zhvilluan një takim me përfaqësues të bizneseve turke dhe kosovare.
Qëllimi i këtij takimi ishte që bizneset të njihen më mirë me njëra-tjetrën, të informohen për veprimtarinë dhe produktet që ofrojnë, si dhe të krijohen lidhje të reja bashkëpunimi për rritjen e eksporteve dhe promovimin e produkteve të të dy vendeve.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe për lehtësimin e qasjes në treg, përmirësimin e transportit dhe adresimin e çështjeve të tjera që ndikojnë në zhvillimin e bizneseve.
Një rol i rëndësishëm në këtë proces iu atribua edhe diasporës shqiptare në Türkiye, e cila sipas ministres po kontribuon vazhdimisht në lidhjen e bizneseve dhe në mbështetjen e ekonomisë së Kosovës.
Në këtë takim të rëndësishëm nga Oda Tregtare Kosovaro Turke mori pjesë Kryetari i saj z. Orçun Özdemir si dhe anëtarët e bordit të drejtorëve: Limak Holding z. Nihat Özdemir, nga BKT z. Suat Bakkal, nga Newco Balkan znj. Merve Özer Yılmaz, nga banka TEB z. Alp Yılmaz, nga Ziraat Bank z. Kenan Bozkurt, nga MOKNE z. Naser Alim, nga KEDS z. Alpin Doğan, nga Güris z. İbrahim Akyol dhe nga Simtex z. Şenol İkiz.