Është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Odës Tregtare Kosovaro Turke dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK).
Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i OTKT Meriton Sunduri dhe Drejtori Ekzekutiv i SHBK Petrit Balija ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave mes dy institucioneve. Drejtori Ekzekutiv i OTKT Meriton Sunduri, theksoi se falë bashkëpunimit mes dy institucioneve, shkëmbimit të përvojës dhe njohurive, bizneseve që planifikojnë të investojnë në Kosovë do t'u ofrohen informacione më të plota rreth mjedisit investues në Kosovë. Sunduri poashtu bëri të ditur se beson në potencialin zhvillimor ekonomik të vendit dhe se duke përmirësuar mjedisin e biznesit në Kosovë dhe duke ofruar komoditet për bizneset do të kontribuojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Sunduri theksoi se me zgjerimin e bashkëpunimit institucional, OTKT mbështet bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Nga ana tjetër Drejtori Ekzekutiv i SHBK Petrit Balija, tha se OTKT luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit për kompanitë që punojnë me Turqinë, si dhe për bizneset që vijnë nga Turqia.
Balija theksoi se ekziston një kapital i konsiderueshëm që vjen nga Turqia në sektorin bankar i cili përbën 32% të gjithsej kapitalit bankar dhe i cili kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Duke thënë se sektori bankar vazhdon të mbështesë investitorët vendor dhe të huaj në Kosovë, Balija bëri të ditur se kjo i kontribuon edhe punësimeve të reja.
Përmes këtij bashkëpunimi të OTKT dhe SHBK, synohet përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes për bizneset dhe investitorët në Kosovë.
--