Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro Turke (OTKT), Orçun Özdemir, realizoi një vizitë zyrtare në kabinetin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.Përveç Kryetarit Özdemir, në përbërje të delegacionit të OTKT-së ishin edhe Nënkryetari Ayhan Demirkıran, anëtari i Bordit İbrahim Akyol, Këshilltarja Tregtare Seda Ulukaya, si dhe Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së, Meriton Sunduri.
Gjatë takimit Kryetari Özdemir e uroi Ministren Kusari-Lila për detyrën e saj të re dhe prezantoi aktivitetet dhe misionin e OTKT-së, duke u fokusuar në çështjet që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve në vend.
Nga ana e saj, Ministrja Kusari-Lila paraqiti prioritetet e Ministrisë, me theks të veçantë procesin e vlerësimit te zonave per parqe industriale si dhe menaxhimin e marrëdhënieve me investitorët.
OTKT shprehu gatishmërinë dhe qëllimin për të kontribuar në krijimin e një zone që do të funksiononte si zonë industriale e organizuar dhe teknopark në Kosovë, duke theksuar se një iniciativë e tillë do të mund të shndërrohej në një qendër atraktive për investitorët turq, vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ministrja Kusari-Lila informoi se brenda Ministrisë po zhvillohet një studim ekspertize për krijimin e parqeve të tilla industriale dhe se në nivel të qeverisë qendrore synohet themelimi i disa zonave të specializuara. Ajo theksoi se procesi, i cili aktualisht ndodhet në fazë vlerësimi, synon gjithashtu të nxisë konkurrencën e lirë dhe se disa nga zonat mund të jenë të dedikuara për sektorë të veçantë. Ministrja Kusari-Lila shtoi se mirëpret iniciativën e OTKT-së dhe se preferohet që investitorët që do të angazhohen në këto zona të jenë kryesisht kompani prodhuese.
Nga ana e OTKT-së, duke qenë se u diskutua tema e investimeve, u theksua se Oda po e ndjek nga afër procesin e organizimit të Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë, duke nënvizuar se investitorët turq mund të ofrojnë mbështetje të rëndësishme infrastrukturore në ndërtimin e objekteve sportive, stadiumeve dhe projekteve të tjera përkatëse. Në kuadër të klimës së investimeve, u ngrit shqetësimi lidhur me kohëzgjatjen e gjatë të procedurave për leje pune, duke u theksuar nevoja për përshpejtimin e tyre.Gjithashtu, u theksua nevoja e investimeve ne sektorin e prodhimtarise dhe bujqesise dhe u veçua edhe sektori i shëndetësisë si një fushë sensitive, ku vonesat në lëshimin e licencave për mjekët kanë bërë që disa mundësi të rëndësishme investimi të mos realizohen.
OTKT theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurave si për lejet e punës, ashtu edhe për licencimin e mjekëve. Në përmbyllje të takimit, u diskutuan edhe marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve, duke u nënvizuar rëndësia e përditësimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në përputhje me kërkesat dhe kushtet aktuale ekonomike.
Të dyja palët u dakorduan se takimi ishte shumë produktiv dhe theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.