Dje, në ambientet e Odës Tregtare Kosovaro Turke u organizua një takim konsultativ mes ekspertëve të fintech-it nga Turqia dhe anëtarëve të OTKT-së në Kosovë, të interesuar për këtë sektor dhe shërbimet e tij.
Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e profesorëve të Universitetit Trakya, Prof. Dr. Sadi Uzunoğlu, Prof. Dr. Ahmet Atakişi dhe Dr. Rabia Aktaş, dhe u fokusua mbi produktet e zhvilluara në fushën e sistemeve ndërkombëtare të pagesave dhe teknologjive financiare.
Gjatë takimit, Dr. Rabia Aktaş, bashkë-themeluese e MoiFintech, zhvilloi gjithashtu diskutime me kompanitë anëtare të OTKT-së mbi produktet e sistemeve të pagesave dhe mundësinë e integrimit të tyre në tregun Kosovar.
Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së, Meriton Sunduri, hapi takimin duke theksuar kënaqësinë e tij që Oda mundëson një platformë për dialog dhe bashkëpunim ndër-sektorial.
Ndërsa, Këshilltarja e Tregtisë, Seda Ulukaya, prezantoi fushën e veprimtarisë dhe aktivitetet e Zyrës së Këshillit të Tregtisë. Nga radhët e anëtarëve të OTKT-së, në takim morën pjesë përfaqësues të sektorit IT të bankave TEB, BKT dhe Ziraat, si dhe përfaqësues të kompanive të interesuara në këtë sektor përfshirë kompanitë Connect, MCM Group dhe Burak sh.p.k.
Burimi: OTKT