Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) organizoi sot një takim konsultativ me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Në këtë takim të organizuar me mbështetjen e sponsorit Newko Balkan, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe aspektet tatimore në kuadër të forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Kryetari i Odës Orçun Özdemir, tha se një nga detyrat themelore të Odës Tregtare Kosovaro Turke është krijimi i një dialogu të fortë, konstruktiv dhe të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Mentor Hyseni, theksoi se përveç mbledhjes së të hyrave, fokusi kryesor i ATK-së është rritja e cilësisë së shërbimeve, digjitalizimi dhe thjeshtësimi i proceseve tatimore, si dhe ofrimi i shërbimeve sa më cilësore për tatimpaguesit.
Qëllimi është rritja e dialogut ndërmjet sektorit publik dhe atij privat
Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së Meriton Sunduri, theksoi se një nga objektivat kryesore të Odës është avancimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Ai u shpreh se përmes një qasjeje konstruktive dhe të vazhdueshme, synohet që zëri i komunitetit të biznesit të dëgjohet dhe të zhvillohen propozime konkrete që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjithashtu Sunduri prezantoi strukturën e Odës, rolin e saj dhe profilin e kompanive pjesëmarrëse.
Özdemir vuri theksin tek mekanizmat e orientuar drejt zgjidhjes
Më pas, Kryetari i OTKT-së Orçun Özdemir, në fjalën e tij vlerësoi se afrimi i vëllimit tregtar ndërmjet Türkiye-s dhe Kosovës drejt 1 miliard eurove përbën një dëshmi të qartë të nivelit të lartë të marrëdhënieve ekonomike të ndërtuara ndërmjet dy vendeve. Duke theksuar se potenciali për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve mbetet i madh, Özdemir nënvizoi rëndësinë e forcimit të kanaleve të dialogut dhe konsultimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.
Ai theksoi rëndësinë e adresimit të drejtpërdrejtë të sfidave me të cilat përballen anëtarët e Odës në aktivitetin e tyre të përditshëm, si dhe të shkëmbimit të mendimeve dhe sugjerimeve me Administratën Tatimore të Kosovës, me qëllim identifikimin e qasjeve praktike dhe të orientuara drejt zgjidhjes.
Në anën tjetër, Özdemir u shpreh se OTKT e vlerëson pozitivisht punën e ATK-së në fushën e digjitalizimit, zhvillimit të shërbimeve elektronike dhe modernizimit të proceseve tatimore. Ai theksoi se ndarja e përvojave dhe sfidave të anëtarëve të Odës gjatë zbatimit praktik të këtyre proceseve do të ishte një kontribut i vlefshëm për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve.
Në këtë kuadër, Özdemir deklaroi se OTKT është e gatshme të kontribuojë në krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm dhe institucional bashkëpunimi, të bazuar në dialog dhe në gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Ai shtoi se ky bashkëpunim mund të forcohet përmes krijimit të grupeve të përbashkëta të punës, organizimit të takimeve informuese dhe zhvillimit të konsultimeve paraprake me komunitetin e biznesit para miratimit të ndryshimeve ligjore.
Hyseni vuri theksin në rritjen e cilësisë së shërbimeve
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Mentor Hyseni, theksoi se prioritet i ATK-së është digjitalizimi, thjeshtësimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve për tatimpaguesit. Ai bëri të ditur se ky proces po zhvillohet me sukses, duke theksuar se që nga viti 2022, rreth 59 shërbime tashmë ofrohen në mënyrë digjitale. Sipas tij falë bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe përpjekjeve të vazhdueshme institucionale, procesi i digjitalizimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana tjetër Hyseni theksoi se ATK është e vetëdijshme për mbështetjen që Türkiye i ka ofruar Kosovës para dhe pas luftës duke vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tashmë kanë arritur një nivel të ri bashkëpunimi. Ai theksoi se në vitet e fundit janë zhvilluar forma të reja të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në sferën ekonomike.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Hyseni, deklaroi se institucioni që ai drejton mbetet i hapur për të pranuar dhe trajtuar pyetjet, sugjerimet dhe komentet e Odës dhe kompanive anëtare të saj. Ai nënvizoi se kanalet e komunikimit dhe dialogut do të mbeten të hapura edhe përtej këtij takimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Takimi përfundoi me zotim për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit
Pas fjalimeve hyrëse, anëtarët e Odës ndanë mendimet, shqetësimet dhe pyetjet e tyre, duke zhvilluar një diskutim interaktiv me përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës. Gjatë këtij sesioni u trajtuan tema të rëndësishme për komunitetin e biznesit, përfshirë zbatimin e Ligjit për Sponsorizime, procedurat e rimbursimit të TVSH-së, ndryshimet dhe rregulloret e reja për arkat fiskale, si dhe çështje të tjera me interes për sektorin privat.
Në takim morën pjesë anëtarë të OTKT-së që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Përfaqësues të sektorëve të financave dhe konsulencës, industrisë dhe prodhimit, logjistikës, arsimit, si dhe fusha të tjera, ishin pjesë e këtij takimi. Nga Administrata Tatimore e Kosovës, përveç Drejtorit të Përgjithshëm Mentor Hyseni, morën pjesë edhe Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm Sami Salihu dhe Isen Lipovica.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve vlerësuan pozitivisht zhvillimin e këtij takimi konsultativ dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin, me qëllim forcimin e dialogut dhe bashkërendimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.