Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro Turke Orçun Özdemir, së bashku me Këshilltaren Tregtare të Ambasadës së Türkiye-s në Prishtinë Seda Ulukaya dhe Drejtorin Ekzekutiv të OTKT-së Meriton Sunduri vizituan Komitetin Olimpik të Kosovës.
Delegacioni u prit dje nga Kryetari i Komitetit Olimpik İsmet Krasniqi me të cilin u diskutuan përgatitjet lidhur me Lojërat Mesdhetare 2030 ku Kosova është nikoqire e tyre.
Kryetari i OTKT-së Orçun Özdemir, prezantoi Odën, anëtarët dhe aktivitetet e saj duke theksuar se janë të gatshëm të ofrojnë çdo lloj mbështetjeje. Këshilltarja Tregtare Seda Ulukaya, theksoi se në Türkiye ka profile të fuqishme që mund të kontribuojnë në projektet infrastrukturore të Kosovës.
Ndërkaq Krasniqi, duke vënë në dukje bashkëpunimin e mirë me Türkiye, veçanërisht me Komitetin Olimpik të Türkiye-s falënderoi kompanitë turke në Kosovë për mbështetjen e dhënë.
Krasniqi theksoi se punimet po vazhdojnë me intensitet të lartë dhe se brenda 3 muaj pritet përfundimi i master-planit, pas së cilës do të shpallet tenderi.
U theksua se procesi i tenderimit do të jetë transparent dhe i hapur për publikun, duke u publikuar në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik dhe në kanalet e tij në rrjetet sociale. Për Lojërat Mesdhetare 2030 parashihet renovimi i stadiumeve të qyteteve dhe ndërtimi i objekteve sportive, si dhe ndërtimi i një stadiumi kombëtar me kapacitet prej 25 mijë ulësesh.