Lajme

Lajme nga Oda

Mbahet Forumi i Investimeve në Prizren

25.08.2021

25.08.2021 - Forumi ekonomik i quajtur "Investo në Prizren" u mbajt më 24-26 gusht nën organizimin e Komunës së Prizrenit. Bashkëpunimi ekonomik dhe mundësitë e investimit u vlerësuan në këtë forum, ku morën pjesë përfaqësues të komunave vëllezër si dhe njerëz të biznesit nga Shqipëria, Mali i Zi dhe veçanërisht nga Turqia.Në Forumin Ekonomik, i cili u hap nga Kryeministri Albin Kurti, u shpjeguan mundësitë për investime në rajonin e Prizrenit dhe krijimin e Zonës Industriale. Në këtë forum mori pjesë gjithashtu edhe Oda Tregtare Kosovare Turke. Sekretari i Përgjithshëm i OTKT-së, Esin Muzbeg duke mbajtur një fjalim në Konferencën mbi bashkëpunimin dhe investimet ekonomike, vlerësoi perspektivën ekonomike në vend, politikat e zhvillimit dhe rolin e OTKT-së. Muzbeg theksoi se duhet të ndiqet një politikë konkrete zhvillimore dhe të miratohet një ligj gjithëpërfshirës për nxitjen e investimeve. Në këtë kontekst, Muzbeg deklaroi se KIESA dhe agjencitë e tjera përkatëse duhet të forcohen në mënyrë që të zbatojnë këto politika dhe deklaroi se ka nevojë për reforma të reja në legjislacion. Sekretari i Përgjithshëm Muzbeg po ashtu deklaroi se ka nevojë për rregullore të reja për të inkurajuar investimet si dhe për harmonizimin ligjeve që janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Së fundi, duke iu referuar sundimit të ligjit, Muzbeg theksoi se proceset ligjore duhet të funksionojnë në mënyrë efektive duke bërë të ditur se OTKT mirëpriti Gjykatën Komerciale, e cila është në proces të themelimit, por që Gjykata nuk do të zgjidhë asnjë problem si institucion, ndërsa funksionaliteti i saj do të jetë i rëndësishëm. Duke folur për misionin e OTKT-së, Sekretari i Përgjithshëm Esin Muzbeg tha se Oda është gjithmonë e hapur si një pikë kontakti për njerëzit e biznesit nga Turqia të cilët do të jenë të interesuar.Në këtë konference përveç OTKT-së pjesëmarrës ishin edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi; Drejtoresha e Odës Ekonomike Kosovaro Gjermano Nora Hasani, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Liza Gashi si dhe Menaxheri i “Germin”, Lirim Krasniqi.