Raportet

Raportet nga Oda

VLERËSIMI I PËRGJITHSHËM I EKONOMISË SË KOSOVËS 2024

Gjatë vitit 2024 ekonomia botërore vazhdoi të ketë përmirësime. Në përgjithësi, këtë vit, ekonomia globale mbeti e qëndrueshme, por sfida të tilla si inflacioni dhe tensionet gjeopolitike vazhduan. 

Ekonomia e Kosovës shënoi rritje prej 4.6 përqind deri në shtator të vitit 2024, e mbështetur nga rritja e konsumit dhe investimeve, ndërsa importet neto ndikuan negativisht në aktivitetin ekonomik. Pra gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024, aktiviteti ekonomik është rritur me 4.6 përqind, falë rritjes eksportit të mallrave dhe shërbimeve për 9.6 përqind, investimeve për 7.6 përqind dhe konsumit për 3.1 përqind, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve ndikoi negativisht duke u rritur për 9.2 përqind. 


Vlerësimet e BQK-së sugjerojnë se ekonomia e Kosovës është rritur me 4.3 përqind gjatë vitit 2024, me kontribuues kryesor konsumin, investimet dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë, importi i mallrave dhe shërbimeve ka pasur ndikim të lartë negativ në rritjen e BPV-së .

Tremujori i tretë i vitit 2024 shënoi një rritje të çmimeve të konsumit me një vlerë mesatare prej 1.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë. Kontribuuesit më të rëndësishëm në inflacion ishin kategoritë ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ dhe Pijet alkoolike dhe duhan', ndërsa kategoria ‘përdorimi i pajisjeve për transport personal' vazhdoi të ketë kontribut negativ. 


Parashikimet e BQK-së sugjerojnë se norma e përgjithshme e inflacionit pritet të jetë rreth 1.8% në vitin 2025. Presionet inflacioniste në çmimet e ushqimit në tregun vendor mbeten një nga faktorët kryesorë përcaktues të ecurisë së inflacionit; megjithëse, rënia e parashikuar e çmimeve të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare mund të ushtrojë presion për rishikim të inflacionit për poshtë. 

Përkundër kësaj, ecuria e inflacionit vazhdon të minohet kryesisht nga goditjet potenciale si pasojë e tensioneve gjeopolitike, kufizimeve tregtare dhe kushteve klimatike. 


Eksporti i mallrave në vitin 2024 shënoi rritje prej 9.0 përqind, duke arritur në 941.2 milionë euro. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga performanca pozitive në disa sektorë, me eksportin e metaleve bazë si kategoria më e rëndësishme e ndikuar nga rritja e kërkesës për metale në tregjet ndërkombëtare, pastaj eksporti i mallrave shënoi rritje edhe në produktet minerale dhe ato të plastikës dhe gomës. 

Vlera totale e mallrave të importuara në vitin 2024 arriti në 6.3 miliardë euro, rritje vjetore prej 7.1 përqind. Kjo rritje është nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme, e cila u reflektua në rritje prej 11.9 përqind në sasinë e përgjithshme të mallrave të importuara. Importi i mallrave vazhdon të dominohet nga produktet minerale, makineritë dhe pajisjet shtëpiake si dhe artikujt ushqimorë.


IHD-të gjatë vitit 2024 shënuan rritje të madhe duke arritur vlerën prej 7.0 miliardë euro. Megjithatë, janë vërejtur rritje të konsiderueshme në disa sektorë. Rritje më e madhe është regjistruar në sektorin e patundshmërisë. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga çmimet e pasurive të paluajtshme dhe kërkesa në rritje për patundshmëri. Gjithashtu, IHD-të shënuan trend pozitiv në sektorët e aktiviteteve financiare, përfshirë sigurimet, si dhe në ndërtimtari dhe prodhim, duke reflektuar diversifikim dhe zhvillim të këtyre sektorëve.


Remitencat janë burim i rëndësishëm i ekonomisë së Kosovës duke mbështetur konsumin në vend. Në vitin 2024, vlera e remitencave të pranuara arriti në 1.3 miliardë euro, apo 15.0 përqind të BPV-së. 

Megjithatë, rritja vjetore e remitencave u ngadalësua në vetëm 1.5 përqind, kundrejt rritjes prej 7.2 përqind në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Sipas vlerësimeve të nxjera nga ana e BQK-së dhe ASK-së mund të thuhet se ekonomia e Kosovës ka pasur përmirësime të dukshme në rritjen ekonomike dhe në ngadalësimin e normës së inflacionit gjatë vitit 2024 dhe se pritet që me kontribuues kryesor konsumin, investimet dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve ekonomia e Kosovës do të rritet edhe më shumë gjatë vitit 2025 dhe se norma e inflacionit do të zbret në 1.8%.

VLERËSIMI I PËRGJITHSHËM I EKONOMISË SË KOSOVËS 2024 - Download PDF